Me syte nga telenovelat

Posted by deoni | Posted in Kuriozitete | Posted on 28-07-2012

0

Na ka pëlqyer gjithnjë të përqafojmë erën e re të ndryshimeve, dhe si një popull erëdashës i jemi nënshtruar me një dëshirë thuajse të shfrenuar proceseve të cilat, në bazë të tyre kanë pasur revolucionin.

Kohë më parë të gjithë ne u magjepsëm pas një trendy perëndimor, e përqafuam këtë magji që vinte nga përtej me një pafajësi fëminore, pa ditur se do të krijonim një varësi kaq të madhe kundrejt produksioneve që përveçse deformojnë realitetin, nuk sjellin as edhe një vlerë artistike apo kulturore.

Për fatin e keq, duke trashëguar nga sistemi i kaluar izolimin, gjithçka që ne perceptonim për botën jashtë kufijve shtetërorë, ishte veçse ideale. Mbase deri diku kishim të drejtë, por jo plotësisht. Ajo që në fakt mbetet ende për të parë, është se gjithkund, në çdo vend, jeta zhvillohet dhe ecën sipas ritmit kulturor të popujve, dhe sipas rendit shoqëror të kultivuar në to.

Telenovelat kanë pushtuar tanimë jetën tonë, orët e shumta të rendjes sa nga një serial në një tjetër, sa nga një kanal në një tjetër gjithnjë në tentativë për të kapur oraret, na bën që ne mezi të presim orët e argëtimit tonë “me ngjyra” duke harruar thuajse gjithçka. Në fakt duket sikur objektivi i gjithë këtyre serialeve që zgjasin pambarimisht shumë gjatë, na kanë bërë shumë më pak racional në përzgjedhje, dhe na ka ofruar shumë më pak alternativa për të kaluar kohën e çmuar. Nëse do të kishim guximin të merrnim trenin e imagjinatës dhe të bënim një udhëtim në retrospektivë, jehona e të cilit shkund perden pa ngjyra të realitetit të sotëm, dhe na bën spektator të një copëze jete aktive e të bukur. Aty ku mbizotëron realiteti i munguar i ditëve të sotme, ku gjithçka është kthyer në një botë surreale. Ju garantoj që gjithsecilit prej nesh do ti vinte keq për orët e shkuara më kot dëm, paçka se do të bënim të pamundurën për ti përligjur. Do të ishte e kot, kohë e hedhur në plehra nga vetë ne. Vite të tëra ku në vend të ekranizimit mund të kishim bërë shumë më shumë për të shpërfaqur potencialin intelektual, kulturor, apo human.

Të gjithë kanë nostalgji të shikojnë nga dritarja e trenit veten e tyre fëmijë, se sa lumturisht i shfrytëzonim orët. Por kjo sot parë nga treni i retros na duket kohë e begatë, e largët gjithashtu. Kam frikë se në fytyrat e të rriturve do të vërehej nuanca trishtimi, duke e krahasuar fëmijërinë e atëhershme me atë të fëmijëve sot. Fëmijë që edukohen keq, që kanë zëvendësuar lojërat e dikurshme me telenovelat që vetë mamatë e tyre ja kanë ushqyer në një mënyrë apo në një tjetër. Dikur, telenovelat kanë qenë diçka që na kishin munguar dhe sot i kemi me terpicë kudo. Perëndimore apo lindore, duke i vënë theksin moralit e hëerë duke nxitur imoralitetin, ato janë bërë tanimë pjesë e pandashme e përditshmërisë tonë. Mjafton vetëm të hapësh ekranin e vogël , që premton botën e madhe. Joshja është e paimagjinueshme. Gjithnjë si popull kemi pasur aspiratat për ti parë ato vende, për të treguar më pas për to, e për ta shitur veten pastaj nën petkun emancipues. Kjo dëshirë e madhe ka bërë të madh e të vogël, femra e meshkuj të jetojnë në vetë telenovelën e tyre të preferuar, me personazhet e parapëlqyer, duke i shndërruar në një mënyrë ose në një tjetër si pjesëtare të vetë familjes. Ndonjëherë edhe duke i vënë problemet e familjes pas mbarimit të telenovelave.

Kudo dëgjojmë të flitet vetëm për to, në punë, kafene, tek komshia kur shkon të pish një kafe për burrin e saj të sëmurë. Nëse nuk njeh personazhet, qëndron inferior në një pjesë të mirë të bisedës në kafene me miqtë, sidomos i referohem epokëz Ezeliane.

“Hola! Comò estas señora?” është fraza më ledhatuese dhe më e shpeshtë në telenovelat dembele që mbushin oraret e ekraneve shqiptarë. Përshëndetja është e ëmbël, personale, e vëmendshme dhe tërheqëse. Është gjithçka që femra shqiptare nuk ka dëgjuar pothuajse kurrë nga bashkëshorti i orientuar jashtë dyerve të shtëpisë për xhentilesë.
Dhe ndërkohë që meshkujt vazhdojnë të pretendojnë të jenë “burra” në shtëpi, duke përjashtuar gjuhën e butë, afrimitetin, përkëdheljen, mirëkuptimin dhe varietetin, femrat shqiptare po humbasin gjithmonë e më tepër në botën e telenovelave. Aty shtëpiaket e “dëshpëruara” gjejnë atë që ëndërrojnë me vete dhe ndajnë me fqinjën tinzare.
Bisedat mes tyre nisin plot zjarr në formë komenti më serioz sesa gjendja financiare e shtëpisë; se si Maria la burrin dhe të dashurin, si Marsela po ndahet nga Armando, si Zhadia gjithë “zgjuarsi” i krijoi vetes shansin e paparë të zgjidhte mes tre meshkujsh….dhe se si jeta e tyre është pa kuptim brenda pluhurave dhe hekurosjes, teksa bota jashtë “zien” nga meshkuj që janë më joshës, sesa bashkëshortët e tyre.
Por sa ndikojnë vetë telenovelat si faktor nxitës për tradhëti? Sipas ekspertit për gender Migen Peros: “Nuk ekziston një përqindje zyrtare e tradhtive bashkëshortore në Shqipëri, por shumëkujt mund t’i ketë rënë rasti të njohë apo dëgjojë për dikë që ka ndjekur shembujt martesorë të personazheve të trilluar.
Përse?
Pyesni gratë dhe telenovelat që ato ndjekin. Përputhje fatale mes të dyjave.
Telenovelat e ekraneve shqiptarë, blerë në tregje të lirë amerikano-jugorë, janë po kaq të lira e të pavlera edhe në moralin e munguar që përcjellin.
Duke qenë se buxheti për realizimin e tyre është minimal, është e pritshme të mendohet se për vlerat dhe idealizmat përcjellëse mendon pak-kush brenda tyre.
Ideja e përgjithshme e tyre është kapja e një audience sa më të gjerë, duke i servirur histori intrigante lehtësisht të imagjinueshme, që kanë një zhvillim dhe fund tërësisht të papërgjegjshëm… dhe të parëndësishëm për prodhuesit, teksa synimi i vetëm është shitja e telenovelës, jo e vlerave edukuese të saj.

Për ti shkuar më përshtat retros, më kujtohet një thënie e Çurçillit, kur thoshte: “Çdo popull meriton qeverinë që ka”. Por, a është rasti të themi “Audienca shqiptare meriton të shohë vetëm përralla të dala boje, që vijnë nga shoqëri akoma më të paqëndrueshme se kjo e jona?” Nuk duket të jetë një përkim i rastit tërheqja e të dy kaheve. Shtëpiaket shohin telenovelat sepse “këto ka televizori” (sipas tyre), kurse televizionet kanë blerë (sikur t’iu ketë rënë epidemia) të gjitha mall të lirë në vlera, sepse “këto preferon audienca”.
Ku bazohet ky përfundim? Ç’rëndësi mund të ketë kjo, përderisa vazhdon të blihet edhe koha e lirë e pasdites që financohet nga “përparësitë teknologjike”, njëjtësisht në prodhim zero vlerash me ekrane lokale dhe më gjerë, që të ndryshëm kanë vetëm titujt, por kurrsesi gjuhën, prejardhjen, përmbajtjen apo hiçësinë e telefilmave të tyre.
Lehtësia mendore, kohore dhe penduese me të cilën kapërcejnë njëra pas tjetrës historitë e jetës së tyre personazhet artistikë (që hyjnë fare pa ftuar çdo ditë në shtëpitë shqiptare), kanë arritur madje të bëhen kult me të cilët mburren prurësit e kësaj rryme të turbullt. Në një shtet perëndimor, organet qeveritare ndërhynë në ligjin për transmetimin e telenovelave, sepse u vu re që shumica e tyre filmoheshin në pub dhe aktorët përgjithësisht pinin birrë gjatë shumicës së sekuencave. Sipas rregullatorëve televizivë dhe mbrojtjes së audiencës, kjo përcillte tek shikuesit imazhin e gabuar të një jete të paqenë dembele, që mund të kalohej kollaj përditë brenda klubeve. Kërkesa e zyrtarëve u kërkonte producentëve të filmit që të bënin më shumë xhirime edhe në ambiente pune, ku të flitej në mënyrë produktive për vlerën e vërtetë të saj. Në këtë mënyrë, audienca, kryesisht e të rinjve, nuk do të krijonte idenë e gabuar se paratë vijnë vetë në shtëpi, edhe nëse rrihet gjithë ditën në pub, siç bëjnë personazhet e telefilmave.

U. Eco, mes të tjerash, kur merr në analizë serialet e shumta të transmetimeve televizive, thotë se “nuk duhet dyshuar se marrëdhënia jonë me produktet e masës dhe me produktet e artit “të lartë” ka ndryshuar”.

Ashtu siç vihet re në këtë citim, mes këtyre serialeve televizive, të cilët janë produkte të drejtpërdrejtë të masës, dhe artit të vërtetë, i cili mbart vlera të qarta estetike, ka një hendek të pakapërcyeshëm. Këto produkte televizive e skllavërojnë mendërisht dhe trupërisht shikuesin, sa ky i fundit fillon dhe e modelon jetën dhe mikrobotën e tij të përditshme në sajë të atyre që shikon.

Rrjedhojë e këtij modelimi janë probleme të pafundme sociale që has përditë e më shumë familja shqiptare, e cila, duhet thënë, ditë pas dite precipiton nga vlerat e saj tradicionale, aq të domosdoshme në një “modernizim” të paskrupullt dhe të pashpirt.

Pyeta një ditë Mozën, një komshie që jeton në hyrjen përballë, e apasionuar fare pas Ezelit, e më tha, që Ezeli nuk ishte fiksim vetëm i saj, por i gjithë grave shqiptare.
Në fakt unë se kam ndjekur që nga fillimi, herë e shoh herë jo …por duke parë përreth që flitet shumë , mu shndërruar në një opsesion të ëmbël, dhe ja vlen të shikohet, shton ajo.

Kurse Ledia, vajza 22-vjecare kur e pyesim nëse është ndjekëse e telenovelës turke “Ezel” që ka krijuar edhe fansa të shumtë meshkuj, tregon: As nuk e kam ndjekur ndonjëherë, as atë dhe asnjë telenovelë… por kur e pashë te një reklamë thashë sa king ky… direkt ato që më dëgjuan, “Hë pra ky është Ezeli …”

Telefilmat e kanë kultivuar vështirësinë dhe kotësinë e tyre (vlerave), për sa kohë vendi që zënë në to është shumë larg perceptimit dhe qëllimit krijues.
Megjithatë, për fat të keq, “hasta luego, señora!”, përkëdhel më shumë se e vërteta e asgjësë që përcjell.

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Postoje tek Ngjarjet
  • Facebook
  • Digg

Komentoni këtë kuriozitet