Së shpejti 7 miliardë popullsi në botë

Posted by admin | Posted in Kuriozitete | Posted on 19-05-2010

0

Për dy sekonda, koha e mjaftueshme për t’i hedhur një sy titullit të këtij shkrimi, popullsia e planetit është shtuar me katër persona.

Në fakt, për çdo sekondë mbi tokë regjistrohen 4.17 lindje dhe 1.8 vdekje, me një rritje neto prej 2.37 persona. Po ashtu, çdo vit popullsia rritet me pothuajse 75 milionë banorë.

Tani jemi rreth 6 miliardë e 900 milionë, por në 2011-n ka shumë mundësi të arrijmë në 7 miliardë, sipas shumë parashikimeve të institutit “Population Reference Bureau”.

Një rrjedhë që nuk duket se do të ndalë, edhe pse norma vjetore e rritjes globale në të vërtetë është zvogëluar: pasi arriti pikun e 2.19 për qind në mesin e viteve ‘60, është në rënie konstante, dhe sot bota rritet me 1.14% në vit.

Atëherë me këtë ritëm sa do të jemi pas 40 vjetësh? Do të jemi shumë? Si do të ndryshojë popullsia e planetit tonë? Mund të bëjmë parashikime, duke marrë parasysh se hyjnë në lojë shumë variabla. Sipas të dhënave të OKB-së, parashikohen tre skenarë të ndryshëm.

Për hipotezën më të moderuar, në vitin 2050 do të arrijmë në pragun e 8 miliardëve, me paktin që norma aktuale e fekondimit, me një mesatare prej 2.56 fëmijë të lindur për çdo grua, të zbresë në 1.54. Sipas hipotezës “mesatare” dhe më të mundshme, në vitin 2050 do të jemi 9 miliardë e 150 milionë.

Kjo mund të verifikohet vetëm nëse fertiliteti në rajonet më pak të zhvilluara, që sot është 2.73 fëmijë për grua, të zbresë në 2.05. Por që të ndodhë kjo, është e nevojshme që të nisë të zbatohet edhe në vendet më të varfra planifikimi i lindjeve. Skenari i tretë parashtron një normë fertiliteti 2.51, që do të na çojë në një shifër 10.5 miliardë.
Variablat

Cilët janë faktorët që influencojnë rritjen e popullsisë? Janë kryesisht dy: lindshmëria dhe vdekshmëria. Të dyja këto influencohen nga shumë variabla. Vdekshmëria, për shembull, është ulur shumë në dhjetëvjeçarët e fundit në të gjithë botën dhe në të gjitha grupmoshat, për efekt të progreseve të bëra në fushën e mjekësisë.

Por mund të ndërhyjnë edhe situata në gjendje që ta modifikojnë edhe në periudha shumë të shkurtra. Një shembull ka qenë vera përvëluese e vitit 2003, që vetëm në Francë shkaktoi 15000 të vdekur më shumë se mesatarja.

Megjithatë, edhe ngjarjet social-politike të një vendi mund të influencojnë: siç ndodhi në Rusi dhe në ish-vendet komuniste, ku pas rënies të regjimit u përkeqësuan kushtet e jetesës për një pjesë të madhe të popullsisë, me një ulje të natalitetit dhe një rritje të vdekshmërisë (në Rusi, nga viti 1991 deri në 1994 jetëgjatësia mesatare e njerëzve u zvogëlua me 5 vjet).

Në fund, ka shumë rëndësi zhvillimi i një vendi. Në zonat e botës me standard të lartë higjiene, edukimi dhe fitimeve për person, familjet bëjnë më pak fëmijë, një ose dy, dhe njerëzit jetojnë shumë më gjatë. Përkundrazi, në vendet ku dominon varfëria, shkollimi i pakët dhe politika e pamjaftueshme shëndetësore, lindin akoma shumë fëmijë për familje dhe jetëgjatësia shkurtohet.

Është rasti i Afrikës, ku mesatarisht çdo grua lind më shumë se 4 fëmijë dhe ku janë vetëm 6 të moshuar për 100 të rritur. Kështu mund të mendohet se shpërndarja e mirëqenies më të madhe dhe pasurisë edhe në vendet e varfra, do të sjellë në të ardhmen një stabilizim të popullsisë në shkallë botërore.
Çekuilibra të rrezikshëm

Nëse në 2050-n do të jemi 9 miliardë, rritja do të jetë e pabarabartë në vende të ndryshme të botës. Sipas parashikimeve të OKB-së, Europa do të qëndrojë e stabilizuar, ndërsa Afrika do ta dyfishojë popullsinë e saj aktuale, duke arritur në 2050-n në thuajse 2 miliardë (për efekt të një rritjeje vjetore prej 22 milionë banorësh, e ngadalësuar vetëm nga një plagë e tmerrshme si AIDS). Gjithmonë në vitin 2050 në Azi do të jetojnë 5.3 miliardë persona. Pesha e zonave të botës, karakteristikat e popullsisë dhe shpërndarja e saj do të ndryshojnë.

Ashtu siç ka nënvizuar Jack Goldstone i “George Mason University” (SHBA), në një analizë për bombën e re demografike të publikuar në revistën “Foreign Affairs”, i cili shkruan: “Siguria ndërkombëtare e shekullit XXI do të varet si nga numri i njerëzve që do të jetojnë në planet, ashtu dhe nga fakti se si është e përbërë dhe shpërndarë popullsia globale”.

Mega-trendet

Goldstone ka përcaktuar 4 “mega-tendenca”, të cilat që nga sot e deri në 2050-n do ta revolucionarizojnë botën.

1) Trendi i parë do të jetë pesha e vogël e vendeve të zhvilluara si Europa dhe Amerika e Veriut, si nga pikëpamja demografike, ashtu edhe nga ajo ekonomike. Në vitin 2003, popullsia e Europës, SHBA-së dhe Kandasë ishte vetëm 17 për qind e asaj globale, por në 2050-n do të zbresë në 12 për qind. Këto zona prodhojnë rreth 30 për qind të pasurisë globale.

2) Popullsia e vendeve të zhvilluara do të plaket, me një përqindje më të vogël personash në moshë pune dhe përqindje më të lartë pensionistësh, me rrezikun e krizës së sistemit të sigurimeve dhe më shumë kosto për asistencën mjekësore.

3) Popullsia e re do të rritet sidomos në vendet e varfra (sipas hartimeve të “Population Reference Bureau”). Në 2050-n të rinjtë nga 15 e deri në 24 vjeç do të jenë 53 për qind në Azi dhe Paqësor, 29 për qind në Afrikë dhe 7 për qind në Amerikën Latine, ku janë shumë të vogla mundësitë për të pasur një edukim të mirë dhe mbi të gjitha një punë të mirë.

Rreziku është se këtu janë shumë të mira kushtet për paqëndrueshmëri dhe konflikte. Goldstone në veçanti nënvizon se si këto zhvillime do të ndodhin në shumë vende myslimane dhe se si është vitale të përmirësosh marrëdhëniet mes shoqërive islamike (me të rinj që mund të jenë të ndjeshëm dhe lëvizje radikale dhe anti-perëndimore) dhe perëndimore.

4) Një trend i fundit do të jetë përqendrimi i madh në aglomeratet urbane, që do t’u përkasë sidomos më të varfërve në kryeqytetet gjigande me 15-20 milionë banorë, si Mumbai, Qyteti i Meksikos, Nju Delhi, Shangai apo Kalkuta, ku sot verifikohen probleme të mëdha me higjienën, degradimin, dhunën dhe çrregullimet.

Migracioni

Një tjetër faktor në lojë janë migrimet e mundshme për shkaqe ekonomike dhe ambientale. Çfarë peshe do të kenë? Sipas raportit të OKB-së mbi popullsinë, në botë për vitin 2009 “pritet që ndryshimi klimaterik të jetë një nga faktorët kyçë për postimin e popullsisë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Me pak fjalë, migracione të shkaktuara nga rritja e ngjarjeve meteorologjike ekstreme (si uraganet), thatësira dhe degradimi i tokës, apo rritja e nivelit të detit me pasoja erozionin dhe përmbytjet e brigjeve.

Një kërcënim ky për kë jeton në zonat bregdetare të populluara (ku gjendet 60 për qind e 39 metropoleve të mëdha) dhe për vendet ishullore, ku tokat kërcënohen nga zhytja; si Maldivet, Tuvalu, Vanuatu. Sa do të migrojnë? Sipas OKB-së, deri në vitin 2050, të paktën 200 milionë njerëz do të zhvendosen për faktorë ambientalë.
Gjyshërit migrues

Por do të ketë edhe migrime për motive ekonomike. Për Komisionin Global për Migrimet Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, fenomeni migrues në shkallë botërore i përket çdo vit 3 për qind të popullsisë. Vendet më të rëndësishme me origjinë fluksesh migratore janë Kina, India dhe Filipinet, ndërsa ato të destinacioneve SHBA, Rusia dhe Gjermania.

Kalimi nga Afrika e Jugut përmes Mesdheut, është një opsion migrues sekondar. Por tendenca nuk do të ndalet. “Situata ekonomike e rajoneve sub-sahariane”, siç shpjegon Hein de Haas, kërkues i Institutit Ndërkombëtar për Migrimet në Oksford, “do të vazhdojë ta shtyjë eksodin, sepse edhe në vendet pritëse ka nevojë për krah pune me kosto të ulët.

Përmirësimi i transportit dhe lidhjeve në Mesdhe nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të lehtësojë fenomenin”. A do të rriten migracionet? Sipas OKB-së, po. Në vitin 1975, nga Azia lëviznin 34.5 për qind e imigrantëve të të gjithë botës, sot vetëm 25 për qind. Edhe pesha e Afrikës në flukset botërore po bie në përqindje (nga 12 për qind në 1970, në 9 për qind që është sot).

Ashtu siç nënvizon Jack Goldstone, mungesa e të rinjve nga njëra anë dhe sasia në tjetrën do ta ushqejnë migracionin drejt vendeve të zhvilluara, ku mund të gjesh punë. Por ashtu, studiuesi ngre hipotezën edhe të një fluksi të kundërt: zhvendosjet e të moshuarve nga vendet e zhvilluara drejt vendeve ku mund të krijohet një rrjet strukturash rezidenciale dhe asistence.

Impakti ambiental
Po planeti?

Duket i stërvitur për të mbajtur në vitin 2050 peshën e 9 apo dhjetë miliardë personave. Por, siç shpjegon Massimo Livi Bacci, pedagog i demografisë në Universitetin e Firences, “problemi qëndron në faktin se rritja e ardhshme do të përqendrohet në vendet e varfra.

Për vendet e pasura mund të mendohet një kombinim mes popullsisë stacionare dhe një aktiviteti produktiv gjithmonë e më të bazuar në aktivitete që kërkojnë një konsum energjetik të limituar. Por në vendet e varfra që kanë popullsi në rritje dhe synojnë zhvillimin e shpejtë, konsumi energjetik do të jetë shumë i shpejtë dhe i madh”.

Në Perëndim do të prodhojmë më shumë shërbime dhe të mira jomateriale që nuk kërkojnë shfrytëzim të madh të lëndëve të para dhe energji. Prodhimet do të përdorin teknologjitë e avancuara dhe më shumë “ekologjike”.

Sipas Livi Baccit, “që një vend si India të mbajë konstant edhe në 2050-n impaktin e saj ambiental, duke marrë parasysh edhe rritjen e popullsisë, çdo produkt industrial pas 40 vjetësh duhet të realizohet me një konsum energjie 13 herë më të vogël se ai aktuali. Një kufi i pamundur, sepse rritja indiane në dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të shumëfishojë mbi të gjitha konsumin e atyre të mirave si ushqimi, që kërkon një përqendrim të madh të lëndëve të para, energji dhe punë”.

Ushqim për të gjithë

Me pak fjalë, a do të mjaftojnë burime? Sipas vlerësimeve të “FAO”-s, toka mund të ushqejë deri në 20 miliardë persona. Problemi qëndron te varfëria dhe shpërndarja e ushqimit. Në një raport të tre studiuesve të OKB-së, George Martine, Jose Miguel Guzman dhe Daniel Schensul, thuhet se, si në 20 vitet e fundit, norma e rritjes së popullsisë botërore ka zbritur në 1.14 për qind, ndërsa prodhimi i ushqimit është rritur në mënyrë konstante me 2 për qind për çdo vit.

Bota nuk po ezauron rezervat ushqimore të planetit. Problemi i vërtetë qëndron tek aksesi i pabarabartë ndaj ushqimeve për të gjithë dhe një shpërndarjeje të gabuar”, thonë studiuesit.
Kufij që nuk duhen kaluar

Më serioz është problemi energjetik: sfida më e madhe ka lidhje me naftën. Konsumi aktual është rreth 90 milionë fuçi në ditë. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kjo nevojë është e destinuar të rritet me rritjen e popullsisë dhe në 2030-n do të shkojë në 120 milionë fuçi në ditë.

Me pak fjalë, duhet kursim dhe teknologji të reja. Një studim suedez, bërë në “Stockholm environment Institute” nga Johan Rockstrom, na tregon se dhe sa mund të durojnë burimet natyrore përballë rritjes demografike.

Rockstrom ka gjetur disa kufij që nuk duhen tejkaluar. Një prej tyre është shfrytëzimi i tokës për qëllime bujqësore, që sipas llogarive të tij nuk mund ta kalojë kufirin 15 për qind të tokave të zhytura dhe të lira nga akujt.

Të shkosh përtej kësaj përqindjeje, do të thotë varfërim i burimeve kryesore, si pyjet, të nevojshme për kontrollin e nivelit të CO2 në hapësirë. Aktualisht kemi shfrytëzuar 12 për qind të këtyre tokave dhe nuk na ngelet veçse një 3 përqindësh tjetër.
Uji

Kjo do të thotë se për të përballuar nevojat ushqimore të një popullsie në rritje, nuk mjafton vetëm të gjejmë toka të reja për t’u kultivuar, por duhet të përmirësohen edhe mënyrat e kultivimit. Kjo mund të lidhet me disponibilitetin e ujërave të ëmbël. Për këtë burim, shpjegon Rockstrom, nuk mund të shkojmë përtej një konsumi prej 4000 km3 në vit. Aktualisht jemi në një nivel prej 2600 km3 në vit.

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Postoje tek Ngjarjet
  • Facebook
  • Digg

Komentoni këtë kuriozitet